
Nga ndalimi i celularëve te siguria në internet, çfarë parashikon udhëzimi për vitin e ri shkollor
Udhëzimi përfshin detaje nga regjistrimi i nxënësve, te ndalimi i celularëve në shkolla dhe trajtimi i fëmijëve me aftësi të veçanta.
Udhëzimi i përbashkët i Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Kulturës, i botuar në Fletoren Zyrtare, do të sjellë ndryshime të dukshme në organizimin e arsimit parauniversitar dhe formimin profesional.Udhëzimi përfshin detaje nga regjistrimi i nxënësve, te ndalimi i celularëve në shkolla dhe trajtimi i fëmijëve me aftësi të veçanta.
Regjistrimi i nxënësve në arsimin parauniversitar bëhet sipas ligjit për moshën dhe dokumentacionin e nevojshëm. Shkollat duhet të publikojnë hapur listën e teksteve shkollore (titullin, botuesin, çmimin, vendin dhe periudhën e shpërndarjes.
Shkollat gjithashtu do të ndjekin regjistrimin me përparësi në shkollë të fëmijëve nga shtresat në nevojë, pakica kombëtare, romëve dhe egjiptianëve, fëmijëve me aftësi të kufizuara, të kthyer nga emigracioni, të fëmijëve viktimave apo viktima të mundshme të trafikut të qenieve njerëzore etj.
Përpara fillimit të vitit mësimor, institucionet arsimore kanë detyrimin të garantojnë shpërndarjen/shitjen e librave për të gjithë nxënësit dhe pajisjen falas me tekste për klasat I–IX dhe për kategoritë e veçanta të përcaktuara nga qeveria. Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet grupeve në nevojë.
Ndalimi i celularëve, trajtimi i fëmijëve me aftësi të veçanta
Shkollat parauniversitare dhe institucionet arsimore vendore janë të detyruara të zbatojnë ndalimin e përdorimit të telefonave celularë në ambientet shkollore. Drejtoritë e shkollave duhet ta përfshijnë këtë ndalim në rregulloret e brendshme dhe të marrin masa shtesë për zbatim korrekt.
Udhëzimin synon vendosjen e një bashkëpunimi të ngushtë të stafit të institucioneve arsimore parashkollore me personat që ushtrojnë përgjegjësinë prindërore dhe me komunitetin, për krijimin e një modeli motivues të sjelljes së fëmijëve, mësuesve dhe prindërve në mjediset e institucioneve arsimore parashkollore dhe jashtë tyre.
Po kështu synohet regjistrimin me përparësi në institucionet arsimore parashkollore të fëmijëve me nevoja të veçanta: nga familjet në nevojë, nga pakicat kombëtare (romë, egjiptianë etj.) dhe fëmijë me aftësi të kufizuara;
Për këtë qëllim, do të ngrihen funksionojnë komisionet multidisiplinare për kryerjen e vlerësimit të fëmijëve (3–6 vjeç) me aftësi të kufizuara dhe caktimin e mësuesit ndihmës sipas legjislacionit në fuqi.
Rritja e sigurisë në internet
Sipas udhëzimit, shkollat duhet të koordinojnë veprimtari për rritjen e sigurisë së fëmijëve në internet, duke parandaluar aksesin në përmbajtje të paligjshme ose të dëmshme dhe fenomenet negative në shkollë.
Gjithashtu, në kuadër të planit mësimor, shkollat do të zbatojnë disa nisma: si “Tri lëndë në gjashtë orë”, që lejohet të vendoset nga vetë shkolla sipas kushteve dhe specifikave të saj; nismën “Bëjmë detyrat e shtëpisë”, e cila do të monitorohet dhe raportohet çdo vit nga AKAP në MAS; si dhe rogrami “Art dhe zeje”, i cili do të zhvillohet në shkollat pjesëmarrëse përmes moduleve të caktuara, me aktivitete praktike dhe promovuese nga nxënësit, mësuesit dhe specialistët e fushës.
Udhëzimi përcakton gjithashtu përdorimin e laboratorëve smart, për zhvillimin e orëve të TIK-ut për të gjitha klasat I–IX sipas një kalendari të organizuar nga drejtoria; si dhe aplikimin e metodave bashkëkohore, interaktive dhe me simulime, sidomos në shkencat natyrore e matematikë, për të lehtësuar kuptimin e koncepteve abstrakte dhe nxitjen e mendimit kritik./ekofin.al
Më të lexuarat








